Një sasi e konsiderueshme e substancave të dyshuara narkotike, armë dhe municion janë gjetur dhe sekuestruar nga Policia e Kosovës gjatë kontrollit të një vendbanimi në rrugën “Metush Krasniqi” në Gjilan.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrollit në pronën e një të dyshuari mashkull kosovar janë gjetur dhe sekuestruar 64.60 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë, 104.9 gramë substancë që dyshohet të jetë amfetaminë, 3,025.20 gramë marihuanë, 216.20 gramë tableta që dyshohet të jenë ekstazi dhe 47 gramë hashash.
Po ashtu, në cilësinë e provave janë sekuestruar edhe katër cigare elektronike me 35 mbushje, një pistoletë, tre karikatorë dhe 20 fishekë.
Policia bën të ditur se i dyshuari aktualisht gjendet në arrati, ndërsa rasti është duke u hetuar nga organet kompetente./Gjilani INFO/


