Arben Veselaj/Radio Kosova
Një prej zërave më rebelë të letërsisë shqipe të kohës sonë, Rita Petro, me veprat e saj vazhdon të sjell befasi. Libri i saj i fundit, romani “Lindur së prapthi”, si rrallë ndonjë vepër tjetër, zbulon fytyrën e panjohur – atë margjinale të diktaturës komuniste.
Përmes një dialogu imagjinar në mes të narratores (autorit ideografik), herë me të bijën, herë me partnerin, ndërtohet rrëfimi – kujtesë për një fëmijë të “lindur së prapthi”, me të gjitha aktet komike, nganjëherë edhe tragjike, që nga vogëlia e deri në maturim.
Këtë roman autorja Petro e ka cilësuar “një çlirim i mrekullueshëm energjie mbushur me dhimbje e lumturi”! Rita Petro me librat e saj jo rrallë ka shkaktuar debate të zhurmshme në auditoriumet letrare shqiptare.
Kujtojmë këtu vjeshtën e vitit 2015 kur doli libri i saj poetik “Vrima”, i cili i cilësua blasfemues për “namuzin” e letërsisë shqiptare.
Në një bisedë për Radio Kosovën Rita Petro flet për letërsinë autobiografike, për zërat rebelë e feministë dhe për frymën patriarkale të letërsisë shqiptare; për ndjesi “të tjera” dhe për shije e përmbajtje të panjohura deri më tani që po hyjnë në këtë letërsi, si dhe për shumëçka tjetër rreth shkrimtarisë së saj.
Radio Kosova: Zonja Petro, së fundi ju keni botuar një roman (“Lindur së prapthi”), me sa duket me shenja të dukshme autobiografike. A do të thotë kjo se letërsia autobiografike po triumfon edhe në letërsinë shqipe?
Rita Petro: Vërtetë jam nisur nga disa shenja autobiografike. Shenjat biografike janë të dukshme, sepse unë jam natyrë shumë e dukshme. Kështu kam qenë edhe në poezi, kështu jam tashti edhe në prozë. Dhe pikërisht kjo që është dukshme, e bënë librin tim paksa biografik. Do të thosha se, ajo që ia jep elementin letrar lidhet me faktin sepse kemi të bëjmë me një rrëfim fëmije, por jo në këndvështrimin tim të sotshëm. Sot unë jam një shkrimtare (person i rritur) dhe e shoh fëmijërinë nga një këndvështrim i sotshëm, pra jo me sytë e një fëmije. Në libër gjithçka është dhënë siç ka qenë tamam, siç kanë lindur mendimet e fëmijës, siç kanë qenë brezat e tij.
Radio Kosova: Në këtë roman ngjarjet zhvillohen brenda një kronotopi të gjerë të jetës njerëzore, nga vogëlia e një vajze deri në moshën e pjekurisë së një gruaje. A do të thotë kjo se ky është një roman feminist?
Rita Petro: Jo, nuk është. Janë disa ndjesi universale që nuk e ndajnë një djalë nga një vajzë, një burrë nga një grua; janë ndjesi universale: frikërat, ankthet etj. Libri im nuk është një libër feminist që lexohet vetëm nga lexues gra apo vajza. Përkundrazi, unë kam marrë mendime nga lexuesit burra apo djem, të cilët kanë gjetur te libri im ndjeshmëritë e tyre, dhe për këtë jam shumë e gëzuar.
Radio Kosova: “Lindur së prapthi”!? Kush është ai njeri që mund, apo supozohet të ketë lindur së prapthi?
Rita Petro: Libri im nuk merret me gjykimin, sepse nuk është në natyrën time të shkruaj një letërsi gjykuese; që të gjykojë veprime, qoftë edhe të prindërve, sepse fëmija gjithmonë ndodhet përballë disa institucioneve, siç është institucioni familjar, institucionit arsimor etj. Atëherë ishte koha e diktaturës dhe për atë kohë unë jap këndvështrimin dhe ndjeshmërinë; instinktin, mënyrën se si e kam nxjerrë vetën gjatë rritjes dhe se si të tjerët më kanë gjykuar. Pra, nuk është se merrem aq me gjykimin e vetvetes, por se si është ndjerë ky fëmijë nga gjykimi i të tjerëve. Mandej, që në titull – që është në fakt një titull bullizues – unë nuk e quaj vetën, të tjerët më kanë quajtur, e lindur së prapthi, natyrisht se lidhet edhe me rebelizmin. Libri im i shkon rebelizmit, sepse që në fillim nis me tri thënie: “Ti ke lindur anapodha”, më thoshte gjyshja nga ana e babait; “Ti ke lindur së prapthi”, më thoshte gjyshja nga ana e mamasë, dhe, mamaja, e cila më thoshte: “Unë e di ç’kam hequr me ty”! Pra, unë isha një fëmijë që gjatë aktit të lindjes kisha lindur disi më ndryshe se fëmijët e tjerë. Dhe këtë fakt, në mënyrë simbolike e shndërrova në titull të librit, sepse shpesh ishte një shprehje që të tjerët ta zienin gjithë kohës; mund ta thoshin mësuesit, mund ta thoshin miqtë.
Radio Kosova: I linduri së prapthi, a i takon vetëm botës shqiptare?
Rita Petro: Tregimi im konsiston në mënyrën se si reagon personazhi im; në mënyrën se si i thotë gjërat, me atë sinqeritetin e fëmijës, një sinqeritet më i hapur se sa i fëmijëve të tjerë. Ky tregim është për ata fëmijë që janë më të guximshëm se të tjerët, që pastaj ai guxim mund t’i ndjek gjatë gjithë jetës. Por, mund të ndodh edhe e kundërta: mund të jetë si fëmijë i guximshëm, por kur rritet nis e frikësohet nga gjërat që ndesh në jetë. “I lindur së prapthi” nuk do të thotë se i shkon vetëm një personazhi të botës shqiptare. Mendoj se kjo është universale. Ky lloj rebelizmi është universal, pavarësisht se flitet për kohën e diktaturës. Madje, në roman unë nuk e kam përmendur as Shqipërinë, nuk kam përmendur as emra rrugësh, as data e as vite, kështu sepse kam dashur që ta bëjë tregimin sa më poetik. Poetik jo në kuptimin lirik, por për ta bërë gjuhën sa më universale, siç është edhe gjuha e poezisë, e cila nuk merret me informacionin, sepse në poezi informacioni jepet përmes ndjeshmërisë. Pra, nëse unë humbas një shokun tim, sepse atë e kanë internuar dhe unë nuk e shoh më, nuk e takoj më, mërzitem shumë si fëmijë, atëherë çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur një internim dhe kjo natyrshëm nënkuptohet fare shkoqur. Gjithçka që ndodhte në atë kohë shkaktonte shumë drama tek fëmijët. Por, personazhi im, sado që dëgjon nga të rriturit, mendon me kokën e vet.
Radio Kosova: Zonja Petro, në vjeshtën e vitit 2015 ju botuat një libër poetik me titullin “Vrima“, i cili, padyshim se vuri në sprovë gjykimin dhe paragjykimin jo vetëm të lexuesve, por edhe të kritikëve dhe studiuesve të letërsisë. Si reflektoni sot pas pothuajse një dekade për këtë libër?
Rita Petro: Janë disa ndjeshmëri misterioze, është një lloj frymëzimi që vjen nga lartë, nga Zoti, apo nga një univers tjetër, dhe jo gjithmonë të lindin ato ndjesi, dhe jo gjithmonë e ke atë çlirim, apo atë energji që e pata unë në atë kohë. Kur u kam treguar të tjerëve se si më ka ardhur frymëzimi për ta titulluar librin “Vrima”, pa menduar fare se çfarë mund të shkaktonte në opinion, sepse thjesht ka pasur lidhje me një përngjasim me vullkanin e shuar të Santorinit, kur e vizitova si turiste, të gjithë çuditeshin. Në Santorini pashë një ritual interesant, se si të gjithë turistët e fusnin dorën në një vrimë ku ndihej nxehtësia dhe kundërmonte sulfuri. Aty ishte një vrimë jo shumë e madhe dhe nga ajo vrimë ku njerëzia i fusnin duart, më lindi gjithë ideja për librin që në atë kohë po shkruaja: “Vrima”. Pra, “Vrima” është simbolika e një vullkani të shuar që zgjohet përsëri e përsëri. Kjo dukuri me vullkanin e shuar lidhet me simbolikën e jetës, se si jeta shuhet por sërish rilindet; shuhet një epokë njerëzore dhe fillon një epokë tjetër. Pra, nga shpërthimi që shkatërron rikrijohet jeta. Kështu ndodhë edhe brenda trupit të njeriut, kështu ndodh edhe në kozmos.
Radio Kosova: Pas gati një dekade, si observoni sot, pse ndodhi gjithë ajo zhurmë rreth librit “Vrima”?
Rita Petro: Njerëzit nuk u morën me filozofinë e këtij libri, por me disa vargje provokuese, që u dukën disi vulgare. Te libri “Vrima” nuk ka vargje erotike. Ky keqkuptim lidhet kryesisht me mënyrën se si ne jemi edukuar. Mungesat e mëdha të edukimit seksual; se si lidhja në mes të një burri e një gruaje perceptohej si në përralla; se si një vajzë do të martohej me një princ të kaltër … dhe, natyrisht, kjo gjë kurrë nuk ndodhte në jetën reale. Jo se jeta nuk i ka edhe gjërat e bukura, por kur njeriu i ka pritshmëritë si në përralla, atëherë nis dhe zhgënjehet, sepse jeta dhe seksi, siç kanë anën e tyre të bukur, kanë dhe anën vulgare. Pikërisht është kjo gjë që unë kam dashur ta nxjerrë te libri “Vrima”: anën vulgare dhe anën më të bukur lirike. Por, njerëzit nuk u morën me anën lirike, u morën me anën vulgare dhe për këtë jo rrallë jam sulmuar. Në fillim jam befasuar nga ajo zhurmë, sepse unë kisha botuar edhe libra të tjerë me poezi shumë të lira dhe ato gjithmonë diskutoheshin në rrethe letrare. Ajo që bëri zhurmën qe fakti se “zhurma” u përhap. Pra, libri ra dhe në duart e atyre njerëzve të cilët rrezik të mos kishin lexuar asnjë poezi në jetë. Sidoqoftë, e mira e krejt asaj zhurme ishte debati që u ngrit: ishte apo nuk ishte poezi? Fillova ta pëlqeja atë lloj debati, kishte nga ta edhe njerëz intelektualë që më sulmuan, por edhe ata, pa e lexuar fare librin. Për fat të keq ne shpesh harrojmë se nuk ka vetëm poezi lirike, ka edhe poezi rrëfimtare. Unë kisha krijuar një lloj poeme rrëfimtare dhe lirike, pra kishte të bënte me një konceptim që lidhej me idenë e titullit. Të ashtuquajturat “fjalët e pista” rock-poezia i kishte tejkaluar kaherë, duke krijuar baladat më të bukura që njeh poezia lirike.
Radio Kosova: Cili është zëri i autoreve gra sot brenda “letërsisë patriarkale shqiptare”? A ndani mendimin se zëri i autoreve gra në letërsinë shqipe viteve të fundit është më i guximshëm, veprat e tyre janë më imponuese?
Rita Petro: Në letërsinë shqipe viteve të fundit kanë ardhur shumë zëra rebelë të autoreve gra, për të shkruar hapur për dashurinë, për trupin e tyre. Kjo, po, edhe mund të ndahet si letërsi feministe, letërsi që u drejtohet grave dhe vajzave, sepse e ka mesazhin shumë të qartë. Janë disa emra – do ta përmendja këtu Mimoza Ahmetin. Ka të tilla autore të guximshme edhe nga Kosova. Ka një grup grash dhe vajzash që shkruajnë me një guxim shumë të madh për erotikën. Sidoqoftë, mund të them se ende ekziston një lloj autocensure. Disi ende parapëlqejmë t’i rrekemi temave të ashtuquajtura “të mëdha”, thua se letërsia u ndaka në tema të mëdha dhe tema të vogla! Harrojmë se tema e individit është shumë e rëndësishme, sepse kur shkrimtari shkruan për individit dhe për gjithçka që ndodhë në botën e individit, ka shkruar për të gjitha llojet e temave, edhe për politikën, edhe për dashurinë edhe për atdheun. Unë e vë re se ekziston një brez i vajzave dhe grave që ka marrë një drejtim të ri, të ndryshëm nga letërsia tradicionale shqipe e mbisunduar nga sensi mashkullor, e cila, edhe pse e ka vlerën e padiskutueshme, tani po përballet me kohëra të tjera, të cilat po na ofrojnë të tjera shije, të tjera përmbajtje. Nuk është më në qendër tema nacionale, por tema e individit.