Në vazhdën e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, u mbajt aktiviteti informues “Dyert e hapura” në Komunën e Kamenicës.
Qytetarët patën mundësinë të takohen drejtpërdrejt me përfaqësuesit institucionalë, për të paraqitur ankesat, shqetësimet dhe rastet që lidhen me shkeljen e të drejtave të tyre. Në këtë aktivitet morën pjesë Zyrtari Ligjor i IAP-së, Shemsedin Mustafa, dhe Koordinatorja e NJKDNJ-së, të cilët ofruan informacione dhe këshilla profesionale për procedurat e raportimit dhe trajtimit të rasteve.
Ky takim u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të forcuar lidhjen ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve që mbrojnë të drejtat e njeriut, duke promovuar transparencë, llogaridhënie dhe besim më të madh në institucionet publike./Gjilani INFO/


