Avni Halimi
Komentimi nuk guxon (për shenjtëri të kulturës) të jetë në formë të sharjes, denigrimit, etiketimit, nënçmimit, ofendimit etj. Komentimi bëhet vetëm sa për ta kalitur e çelikosur kulturën me pikëpamje, qëndrime, synime shkencore; për t’i dhënë frymë kulturore debatit
Rrjetet sociale përveçse shërbejnë si faqe globale për të shprehur mendimin mbi një dukuri apo fenomen, mbi një ngjarje apo mbi një event; për të publikuar qëndrimet, definicionet, të arriturat shkencore, krijmtarinë letrare etj. gjithnjë e më shumë po kuptohen edhe si sheshe të hapura për debate, për përqasje të qëndrimeve, për polemika të frytshme, për ndriçim të fakteve, të argumenteve; po kundrohen edhe si “konferenca” ku trajtohen tema nga këndvështrimet e ndryshme shkencore, ku përplotësohen qëndrimet me fakte e argumente të reja, ku përgëzohen të arriturat dhe qëndrimet e avancuara, në të gjitha fushat.
Megjithatë, kemi edhe “debate” të ashpra në sferën e aktiviteteve politike, edhe atë në dy drejtime: në drejtim të zhvillimisht të kulturës propagandistike përmes fushatave politike dhe, në drejtim të shfryrjes bombastike të frustrimeve të akumuluar duke shpërfaqur rrugaçëri të frikshme!
Mbase në këtë lloj “sofre” tipi i debateve që e lexojmë edhe mund të “arsyetohet”, si sjellje që shpërthejne nga aktivitetet polarizuse pozitë-opozitë, ndonëse edhe këtu duhet të kihet kujdes sepse kemi të bëjmë me niveloin kulturor të demokracisë sonë, por ama, të kemi edhe në jetën kulturore qëndrime polarizuese “pozitë-opozitë”, këtë nuk e kap truri i shëndoshë!
Të gjithë ne, pas publikimit të çdo shkrimi nëpër rrjetet sociale, kemi mundësinë e komentimit mbi atë shkrim. Bota e civilizuar këtë mundësi të komentimit e shfrytëzon për të ofruar një qasje tjetër, për ta përforëcuar qëndrimin e shprehur në atë shkrim, për ta përgëzuar autorin, për të hapur debat shkencor me qëllim të nxjerrjes së rezultateve plotësuese, apo krejt të tjera rezultate nga trajtimi i të njëjtës temë!
Komentimet shfrytëzohen për ta bër sa më të pasur botën akademike!
Debate të tilla humane përmes komentimit mbi një fenomen, trajtesë, dukuri, ngjarje etj. mbase mund të vërehen edhe në rrjetet tona sociale, sidomos në ato që merren me probleme kulturore. Por, diku devijon, sakaq, nisin denigrimet, shfaqen komplekset idiotike, sakaq, del dikush me “emër e mbiemër”, apo edhe një grup “kujdestarësh” që i kanë dhënë vetes detyrë të përligjin gjithçka që prezanton mendimin shqiptar avangard, përmes një “vistër” sharjes, ofendimesh, përbuzjesh, e ndosin pa fije turpi ambientin kulturor!
Kemi nga ata “trima e trimëresha” që nuk i përtojnë etiketimeve, stigmatizimeve, duke tentuar t’ia presin kokën gjithësecilit e për ta publikuar “kokën madhështore” të tyre! Askush nuk bën, të gjithë janë spiunë, janë hajna, janë komunista, janë pasardhës të “bastardëve” idiologjikë, ndërsa vetëm këta “kritikues” janë përfaqësues të kombit me gjakë të pastër; janë truri i kombit me mendje të shëndoshë, janë shpirti i kombit që garanton të arritura të papërsëritshme!
Këta tipa, këta grupthe, përderisa e konsiderojnë veten si të vetëmjaftueshëm, këta nuk mund të jenë të sinqertë, nuk mund të jenë të pastër, nuk kanë qëllim dhe ideal të shëndoshë; të gjithë këta nuk mund të jenë asgjë tjetër përveçse vegla të huaja që përdoren për ndotje të ambientit ku shfaqet mendimi shqip.
Askush nuk është i detyruar të komentojë! Askush nuk e ka obligim as kombëtar dhe as akademik!
Komentimi nuk guxon (për shenjtëri të kulturës) të jetë në formë të sharjes, denigrimit, etiketimit, nënçmimit, ofendimit etj. Komentimi bëhet vetëm sa për ta kalitur e çelikosur kulturën me pikëpamje, qëndrime, synime shkencore; për t’i dhënë frymë kulturore debatit, për ta kulturuar shoqërinë duke i ofruar forma të përqasjes mbi një fenomen apo aktivitet kulturor.
Zatën, kohëvetë fundit, debatet e tilla përmes komentimeve mbi një publikim po shikohen si “hapësira digjitale” që pasqyrojnë nivelin kulturor të një komuniteti, të një segmenti shoqëror.
Ndaj, është shumë mirë të ruhet higjiena e kësaj “hapësire”, sepse kontaminimi i saj nga “kritikuesit kujdestarë” i bën dëm kulturës sonë, shoqërisë sonë shqiptare. Dhe, bëhemi gaz i botës!/GJILANI INFO/