Adem Nimani
Për harrestarët nuk mjafton as një kronikë besnike ngjarjesh, për të cilat ka një mal dokumentesh në letër dhe në shiritin e filmit për njëqind vjetet e fundit të historisë sonë.
Në vitin 1958, shkollat që ishin hapur në gjuhen shqipe u kërcënuan me mbyllje. Pas një proteste të fuqishme të shqiptarëve në vitin 1958, u arrestuan e u dënuan shumë aktivistë të çështjes kombëtare. Në ketë rast u arrestua e u dënua Adem Demaçi me pesë vjet burg. Si rezultat i demonstratave, shkollat fillore e të mesme vazhduan punën në gjuhën amtare.
Demonstratat e fuqishme vazhduan edhe në vitin 1968. Serish arrestohen me qindra protestues, bashkë me Adem Demaçin që kësaj here dënohet me 15 vjet burg.
Zhvillimi i hovshëm i ngjarjeve solli problemin e shqiptarëve të Kosovës në federatën jugosllave. Po këtë vit mori udhë iniciativa e ndryshimeve kushtetuese në gjithë RSFJ-në. Deri në vitin 1974, kur hyri në fuqi kushtetuta e re, asnjëra nga republikat dhe dy krahinat nuk kishin territor të përkufizuar. Për këtë punë, KQ i LKJ-së autorizon malaziasin Sreten Zhujoviqin dhe sllovenin Eduard Kardelin, slloven. Ata për pak më shumë se pesë vjet e sollën në tavolinë hartën e kufijve të këtyre njësive të federatës, me fiks tetë njësi. Kosova u bë pjesë konstituive e federatës jugosllave
Veç tjerash, Seit Lipa shkruan: Kosova pa pjesën veriore të saj, që ishte kolonizuar në tërësi nga serbët në kohën e Kralit para Luftës së Dytë Botërore, është një copë toke tepër e varfër për të mbijetuar si territor autonom. Prandaj, në ato kohë u vizatuan kufijtë e KSAK. Edhe emri Kosovë u zyrtarizua me kushtetutë dhe në çdo ligj.
Vdekja e Titos solli edhe vdekjen e Jugosllavisë. Tito vdiq më 1980, ndërsa në vitin 1981 u zhvilluan demonstratat më të mëdha në Kosovë, kur doli për lendinë edhe kërkesa që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës. Gjithçka mori teposhtën për Kosovën dhe autonominë e saj në letër.
Serbia kishte përgatitur shumë masa. Mbylli me forcë të gjitha mediat në gjuhën shqipe. Në të gjitha komunat vendosi kryetarët serbë. I dëboi nga puna të gjithë punëtorët shqiptarë, kudo që ishin në administratën publike. Largoi nga puna të gjithë punëtorët shqiptarë në fabrika e miniera. Dëboi studentët nga ndërtesat e të gjitha fakulteteve. Largoi të gjithë nxënësit shqiptarë nga shkollat e mesme dhe fillore, edhe fëmijët shqiptarë nga kopshtet parashkollore. Largoi të gjithë mjekët shqiptarë nga të gjitha spitalet dhe ambulancat.
Shqiptarëve iu kishte mbetur vetorganizimi apo ikja jashtë atdheut. Deri me paraqitjen në skenë të UÇK-së, Serbia as nuk fliste që ekzistojnë shqiptarët.
Pas fillimit të luftës së armatosur, bashkësia ndërkombëtare i solli me detyrim palën shqiptare dhe serbe në një takim ndërkombëtar në Rambuje. Pas shumë ditësh, u arrit të hartohet një dokument bazë për marrëveshje të përkohshme të cilin e nënshkroi pala shqiptare po jo edhe ajo serbe.
Pasuan 78 ditë bombardime të NATO-s. Në Kumanovë u shpall përfundimi i luftës dhe tërheqja e forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe nga Kosova. Më vonë u caktua edhe një emisar për të hartuar planin e pavarësimit të Kosovës, që njihet si Plani i Ahtisarit. Serbia e refuzoi këtë plan pa lexuar fare
Kriza tash duket gati sikur në përfundim të luftës. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë thanë se marrëveshja e Ohrit është obliguese për të dy palët, edhe pse nuk ka nënshkruar Serbia. Kështu, jo që nuk u arrit ndonjë marrëveshje, por shpërthyen edhe eksese. U rrezikuan dhe u preken edhe ushtarët e NATO-së, si dhe forcat policore të Kosovës.
Nga Brukseli nuk u dëgjua dikush që të thotë se Serbia nuk ka nënshkruar asgjë, por se duhet ta respektojë marrëveshjen. Emisarët ndërkombëtarë iu vërsulen Kosovës që ta detyrojnë të lëshonte pe ndaj kërkesave të Serbisë. Siç dihet, gjithçka sillet për njëfarë asociacioni të komunave serbe. Brukseli po bëhet i verbër e i shurdhër duke menduar se Serbia nënshkruan ndonjë marrëveshje, megjithëse presidenti serb ua ka thënë qartë se kurrë nuk do të nënshkruaj.