Ministri Bajram Hasani fton bizneset e huaja të investojnë në Kosovë

0

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka marrë pjesë në hapjen e “Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar- Prishtina 2018”, me bashkëpunëtorët e tij.

Ministri Hasani ka thënë se ky panair është një mundësi e mirë për promovimin e ambientit ekonomik të Kosovës dhe krijon ura bashkëpunimi në mes kompanive vendore dhe atyre ndërkombëtare.

“Ndjehem i nderuar që jam këtu sot në mesin e shumë kompanive vendore dhe ndërkombëtare që po marrin pjesë në këtë panair. Panairi ‘Prishtina 2018’ është një mundësi e mirë për promovimin e ambientit ekonomik të Kosovës dhe besoj se do të shërbejë për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit në mes kompanive vendore dhe atyre të huaja, përmes bizneseve dhe konsumatorëve. Gjatë kohës sa do të mbahet panairi kompanitë kanë mundësi të tregojnë arritjet e tyre. U bëjë thirrje kompanive që ta shfrytëzojnë mundësinë që u jep ky panair. Ne jemi të vetëdijshëm se zhvillimi ekonomik i Kosovës mund të arrihet vetëm përmes partneritetit dhe bashkëpunimit mes sektorit privat, institucioneve tona dhe investitorëve të jashtëm. Pra, sot ekonomia e Kosovës është në një nivel tjetër të zhvillimit me atë që ka qenë para disa vitesh”, ka thënë Hasani.

Ministri Hasani ka theksuar se në MTI kanë nisur reformat për ta krijuar një ambient edhe më të mirë për të bërë biznes.

Hasani ka folur edhe për masat mbrojtëse që janë marrë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në mbrojtje të prodhimeve vendore.

“Ne, në MTI, kemi nisur reformat dhe jemi përqendruar në disa pika të forta që Kosovën ta bëjmë vend më të mirë për të bërë biznes. Njëkohësisht jemi duke punuar me shumë seriozitet për të zhvilluar potencialin e prodhimtarisë vendore duke u fokusuar në mbrojtjen e atyre sektorëve ekonomikë që ne konsiderojmë se po dëmtohet konkurrenca e padrejtë. Në këto konstatime kemi ardhur pas shumë hetimeve të detajuara të departamentit përkatës dhe gjithmonë duke respektuar kompetencat ligjore sa i përket mbrojtjes së tregut. Deri më tani kemi marrë tri masa mbrojtëse: në sektorin e bllokave, miellit dhe për produktet e qumështit. Do të marrim masa për çdo produkt që hyn në tregun e Kosovës pa paragjykuar prejardhjen e tij. Për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për biznes, ne po ashtu duhet të trajtojmë barrierat me të cilat ballafaqohen prodhuesit dhe bizneset tona, qoftë brenda apo jashtë Kosovës”.

Ministri Hasani ka thënë se janë duke punuar maksimalisht që t’i adresojnë ankesat e bizneseve.

“Në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përmes takimeve të nën grupeve punuese që i mbajmë në fushën e bujqësisë, industrisë dhe atë të shërbimeve, punojmë maksimalisht që t’i adresojmë ankesat e prodhuesve dhe bizneseve kosovare në institucione relevante. Për me tepër, përmes mekanizmave për zgjedhjen e mosmarrëveshjeve tregtare në kuadër të CEFTA-së, ne adresojmë çdo shqetësim që bizneset tona ngritin në raport me tregtinë që ushtrojnë me vendet e rajonit”, ka thënë Hasani.

Ministri ka siguruar të gjithë prodhuesit se do ta kenë përkrahjen maksimale për të forcuar ushtrimin e veprimtarisë së tyre tregtare.

Hasani ka paralajmëruar edhe masa tjera mbrojtëse edhe për sektorët tjerë nëse konstatohet se ka shkelje të ligjit.

“Jemi duke konsideruar që të ndërmarrim edhe masa tjera mbrojtëse për sektorët e tjerë. Hapja e tregut tonë në aspektin rajonal dhe ndërkombëtarë, pa perifrazuar potencialin e prodhimtarisë në vendin tonë, nuk do të mundet të sjellë rezultate pozitive në një afat të gjatë kohor për zhvillimin ekonomikë të vendit tonë. Kjo potencohet shumë qartë edhe në marrëveshjen CEFTA-së dhe atë të Organizatës Botërore të Tregtisë, që për çdo aktivitet që u shkakton dëme serioze prodhuesve vendorë duhet të ndërmerren masat e lejuara ligjore”, ka thënë Hasani.

Ai ka thënë se përmes KIESA-s janë përqendruar në zhvillimin e prodhuesve kosovar duke u ofruar programe mbështetëse.

“Jemi përqendruar në grande për rritjen e kapaciteteve prodhuese, ku do të bashkë-financojmë nga 50 deri në 70 për qind të kostos së makinerive apo linjave të prodhimit. Këto janë vetëm disa nga hapat konkret që kemi marrë. Po ashtu do të ketë kupon për certifikime të produkteve ku do të bashkë-financojmë deri në 50 për qind të kostos së certifikimit të produkteve kosovare, për t’iu rritur qasjen në tregjet evropiane”, ka theksuar Hasani.

Sipas Hasanit, MTI-ja do të bashkë-financojë deri në 50 për qind koston e këshillimit menaxheriale për të mundësuar absorbimin e njohurive dhe teknikave moderne menaxheriale në kompanitë kosovare.
“Kjo i bënë kompanitë vendore që të kenë edhe më shumë efikasitet në operim. Njëkohësisht kemi themeluar dhe financuar Fondin kosovar për Garanci Kreditore, i cili ka garantuar mbi 1 mijë kredi në vlerë prej 37.4 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Këto kredi nuk do të lëshoheshin pa garancinë e FMN-së”.

Hasani ka thënë se me mbështetjen e Bankës Botërore po rrisim efikasitetin e trupave inspektuese, duke implementuar një nga reformat më të thella që është ndërmarrë nga ndonjë qeveri.

“Të gjitha këto bëjnë që ekonomia e Kosovës të marrë një kahje të re dhe një rrugëtim të ri. Shumë punë na presin në rrugëtimin tonë, por suksesi arrihet vetëm duke krijuar ura të tilla të bashkëpunimit”, ka thënë ai.

PËRGJIGJU