Lekaj: Kjo javë do të jetë vendimtare për demarkacionin

0

 

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh ministër i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë të dielën se koalicioni qeverisës është duke bërë çmos për t’i siguruar 2/3 e votave për ta ratifikuar Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi.

Në këtë  intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kjo javë do të jetë vendimtare për çështjen e demarkacionit. “Koalicioni është i qëndrueshëm dhe kemi një dakordim brenda tij. Ne po bëjmë çmos që pas këtyre rrethanave të reja ta miratojmë demarkacionin. Shpresoj se kjo javë do të jetë vendimtare për demarkacionin”, është shprehur Lekaj, duke shtuar se nuk do të ketë thirrje të vazhdimit të seancës pa u siguruar votat e nevojshme.

Ai ka thënë se pret reflektim pozitiv nga Lista Serbe, Lëvizja Vetëvendosje si dhe nga deputetët e dorëhequr të Vetëvendosjes. Megjithatë, Lekaj ka hedhur poshtë mundësinë që koalicioni qeverisës të bëjë kompromise në dëm të Kosovës me Listën Serbe në këmbim të votave për demarkacionin.

“Mund të them shkurt dhe shqip se ky koalicion dhe kryeministri Haradinaj nuk do të bëjnë kompromise me askënd në dëm të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Listën Serbe. Nuk guxojmë ta shkelim vijën e kuqe ku dëmtohet shteti i Kosovës. Në këtë drejtim jemi shumë të qartë edhe si AAK, edhe si Qeveri. Kryeministri Haradinaj e ka bërë të qartë se kjo Qeveri nuk do të punojë për asnjë moment kundër interesave të shtetit të Kosovës dhe jemi shumë të qëndrueshëm në këtë drejtim”, ka deklaruar Lekaj.

Sipas tij, pas të gjeturave të komisionit Bulliqi dhe marrëveshjes së dy presidentëve, nuk duhet të ketë hezitim, por duhet të votohet demarkacioni.

Lekaj pret reflektim pozitiv edhe nga Vetëvendosja. “Shpresoj se ata duke u socializuar me situatën e re të marrëveshjes ndërmjet dy presidentëve dhe të gjeturave të komisionit Bulliqi duhet ta ndryshojnë mendimin pozitivisht. Siç e dini, ne kemi qenë në një gjuhë të përbashkët kur e kemi kundërshtuar demarkacionin, kurse tani mendoj se është situatë e re që edhe ata duhet të mendojnë pozitivisht, pra ta ndryshojnë qëndrimin”, ka theksuar ai.

Lekaj ka shprehur optimizëm se pas ratifikimit të demarkacionit Bashkimi Evropian do t’i përshpejtojë procedurat sa i përket liberalizimit të vizave.

“Epoka e re”: Z. Lekaj, koalicioni qeverisës a ka arritur t’i sigurojë 2/3 e votave për miratimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi?
Lekaj: Sa i përket çështjes së demarkacionit tani kanë kaluar limitet. Ne si Aleancë kemi kundërshtuar marrëveshjen e përparshme të demarkacionit me Malin e Zi, mirëpo tash jemi në një situatë krejt tjetër pas të gjeturave të komisionit shtetëror të udhëhequr nga z. Bulliqi si dhe kemi nënshkrimin e deklaratës nga dy presidentët, ku përmenden pikat Çakorr dhe Kullë. Dhe përmes një komisioni të përbashkët kufiri mund të vijë në drejtimin që kemi kërkuar. Prandaj është një situatë e re. Shpresoj se do të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe do t’i kemi 2/3 e votave në Kuvend për miratimin e demarkacionit. Z. Haradinaj është duke kontaktuar dhe negociuar me të gjitha subjektet politike, duke përfshirë edhe Listën Serbe, në mënyrë që të arrijmë një konsensus. Mirëpo, sido që të jetë, nuk do të thirret vazhdimi i seancës pa i pasur 2/3 e votave.

 “Epoka e re”: Lista Serbe dy ditë më parë, nëpërmjet një komunikate për medie, ka bërë me dije se nuk do ta votojë demarkacionin. Si do ta bindni Listën Serbe për të ndryshuar qëndrim?
Lekaj: Ata janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të mendojnë për veten, për lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë dhe të komuniteteve të tjera. Duhet të mbizotërojë arsyeja tek ata dhe nuk shoh ndonjë pengesë që mund të kenë ata në të ardhmen për ta votuar demarkacionin. Megjithatë, ata janë autonomë dhe vendimi është i tyre. Shpresoj edhe te Vetëvendosja dhe te subjektet e tjera do të mbizotërojë arsyeja e votimit të demarkacionit, sepse me të vërtetë ka një ndryshim sa i përket asaj që ne e kemi kundërshtuar në të kaluarën.

 “Epoka e re”: Si mund të prisni reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje e cila edhe më tutje vazhdon ta kundërshtojë demarkacionin, apo jeni duke pritur mbështetje nga deputetët që janë larguar nga kjo lëvizje?
Lekaj: Shpresoj se ata, duke u socializuar me situatën e re të marrëveshjes ndërmjet dy presidentëve dhe të gjeturave të komisionit Bulliqi, do të ndryshojnë mendimin pozitivisht. Siç e dini, ne kemi qenë në një gjuhë të përbashkët kur e kemi kundërshtuar demarkacionin, kurse tani mendoj se është situatë e re që edhe ata duhet të mendojnë pozitivisht, pra që ta ndryshojnë qëndrimin.

 “Epoka e re”: Për këtë çështje është duke negociuar ndokush nga koalicioni qeverisës me Vetëvendosjen apo deputetët e saj të pakënaqur?
Lekaj: Z. Haradinaj, bashkë me koalicionin qeverisës, është duke u marrë me këtë çështje, por nuk e di nëse kanë biseduar apo jo. Unë pres reflektim pozitiv nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga krahu i të dorëhequrve. Shpresoj se kjo javë do të jetë vendimtare për demarkacionin.   

 “Epoka e re”: Sa janë gjasat reale që kjo javë të jetë vendimtare, duke marrë parasysh se kanë shkuar dhjetëra javë të tilla vendimtare dhe ende demarkacioni nuk është miratuar?
Lekaj: Unë shpresoj se kjo javë do të jetë vendimtare për demarkacionin.

 “Epoka e re”: Keni informacione se do të thirret vazhdimi i seancës gjatë kësaj jave?
Lekaj: Nuk do të rrezikohet që të thirret vazhdimi i seancës derisa nuk i kemi 2/3 e votave.

 “Epoka e re”: Z. Lekaj, është përfolur se Lista Serbe ka kushtëzuar votimin e demarkacionit me plotësimin e disa kushteve, njëra prej tyre është thënë të jetë formimi i komunës së Prelluzhës, themelimi i asociacionit të komunave serbe sipas marrëveshjes së Brukselit dhe çështja e Trepçës. Ky koalicion qeverisës është i gatshëm t’i pranojë kërkesat e Listës Serbe në këmbim të votës për demarkacionin?
Lekaj: Mund të them shkurt dhe shqip se ky koalicion dhe kryeministri Haradinaj nuk do të bëjnë kompromise me askënd në dëm të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Listën Serbe.

“Epoka e re”: Por pa votat e Listës Serbe, Lëvizjes Vetëvendosje dhe eventualisht të deputetëve të pakënaqur, si do të mund të miratohet demarkacioni?
Lekaj: Nuk guxojmë ta shkelim vijën e kuqe ku dëmtohet shteti i Kosovës. Në këtë drejtim jemi shumë të qartë edhe si AAK edhe si Qeveri. Kryeministri Haradinaj e ka bërë të qartë se kjo Qeveri nuk do të punojë për asnjë moment kundër interesave të shtetit të Kosovës dhe jemi shumë të qëndrueshëm në këtë drejtim.

“Epoka e re”: Ditë më parë keni pasur disa mospajtime edhe me LDK-në sa i përket projektligjit për demarkacionin. Keni arritur t’i tejkaloni këto mospajtime?
Lekaj: Ajo ka qenë çështje teknike. Është thënë se në projektligj duhet të përfshihet marrëveshja e vitit 2015 e Vjenës, pastaj në pikën 1.2 marrëveshja e presidentëve, dhe pika 1.3 është raporti i komisionit shtetëror. Por ka pasur një ndryshim, pra prej pikës 1.3 raporti i komisionit shtetëror është kaluar në nenin 2 të projektligjit. Këtu ka qenë ai mospajtimi për të cilin unë mendoj se do të tejkalohet.

“Epoka e re”: Ka rrezik që e ardhmja e kësaj qeverie të rrëzohet për shkak të mosmiratimit  të demarkacionit?
Lekaj:  Koalicioni është i qëndrueshëm dhe kemi një pajtim brenda tij. Ne po bëjmë çmos që pas këtyre rrethanave të reja ta miratojmë demarkacionin. Po them edhe një herë se jam optimist se gjatë kësaj jave do të ratifikohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

“Epoka e re”: Kosova do të mund ta zë çastin e fundit për liberalizimin e vizave apo tashmë jemi vonuar në këtë drejtim?
Lekaj: Jo, nuk jemi vonuar. Jam i bindur se pas ratifikimit të demarkacionit Bashkimi Evropian do t’i përshpejtojë procedurat sa i përket liberalizimit të vizave. Prandaj, pas situatës së krijuar, pas marrëveshjes së dy presidentëve dhe të gjeturave të komisionit Bulliqi, nuk duhet të ketë hezitim, por duhet të votohet demarkacioni. Tanimë nuk duhet të humbim kohë.

Shqipe HETEMI

PËRGJIGJU